
Tirana kërkon që ta mbyllë me trofe sezonin 2019-2020 dhe për
këtë, presidenti Halili nuk është kursyer në merkato.
Në prag të 100 vjetorit të themelimit të klubit, drejtuesit bardheblu kanë kërkuar
të shtojnë cilësinë në skuadër dhe për këtë kanë ofruar 8 futbollistë ku cilësitë
e tyre nuk diskutohen. Një merkato që ka sjellë dyndje të madhe në klub, por
edhe shtim të rivalitetit.
Akordi me Kristi Vangjelin ka "trembur" plot 5 futbollistë të Tiranës.
Ish-mbrojtësi i Skënderbeut do të bashkohet me klubin më 24 gusht dhe më pas do
të "luftojë" për një vend titullari. Eksperienca e bën 33 vjeçarin një
lojtarë shumë polivalent, ku mund të dublojë të gjithë repartin e mbrojtjes.
Për këtë, Dorian Kërçiku dhe Albi Doka duhet të djersijnë për të fituar një
vend titullari, ashtu siç edhe Hoxhallari në krahun e majtë. Gjithashtu, as
Gent Muça dhe Eni Imami nuk e kanë aspak të lehtë garën për të zënë një vend në
qendër të mbrojtjes, aty ku Vangjelin e kemi parë shpesh gjatë karrierës.
Një situatë që shton optimizmin te klubi bardheblu, por presionin te trajneri,
Ardian Mema, pasi i duhet të gjej lojtarët dhe skemën e duhur për të shkuar te
suksesi.