Ditën e sotme janë zhvilluar dy ndeshje të prapambetura të vlefshme për javën e 15-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut. Struga priti në shtëpi Voska Sport, ndërsa Vardari luajti në transfertë përballë Sileks.
Ekipi i Strugës mori një tjetër fitore. Skuadra e Shpëtim Duros arriti të triumfonte në shtëpi përballë Voska Sport. Shqiptarët fituan me rezultatin minimal 1-0, golin për të cilët e shënoi Zguro në minutën e 99’ të sfidës. Ish-i i Skënderbeut arriti të shënonte me anë të një 11-metërshi. Me këtë fitore, Struga rimerr vendin e parë dhe shkon në kuotën e 36 pikëve, ndërsa Voska Sport mbetet e parafundit në vendin e 11-të me vetëm 17 pikë.
Në krahun tjetër, Vardari e bën të rrugës humbjen. Skuadra maqedonase ka marrë një tjetër humbje dhe ka “blinduar” vendin e fundit të renditjes. Me disfatën 3-2 që mori në transfertë përballë Sileks, Vardar mbetet e fundit në tabelën e klasifikimit me vetëm 14 pikë, ndërsa Sileks në vendin e katërt me 27 të tilla.