Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

INTERVISTA/ “Tifozë, do iu mbajmë në shtëpi edhe pas pandemisë”, drejtori Pano XHIXHO premton: Prisni surpriza, peripecitë e fillimit dhe e ardhmja e RTSH Sport (RRËFIMI EKSKLUZIV)

Shkruar nga NEWSPORT

Nga Retin TOKA

“Do t’i mbajmë tifozët në shtëpi edhe pas kësaj pandemie”, ky është premtimi që bën Pano Xhixho për gjithë sportdashësit shqiptarë. Afro 6 vite pjesë e Radio Televizionit Publik Shqiptar, drejtori i Departamentit të Sportit ka ndryshuar si me magji këtë pjesë të rëndësishme të këtij ekrani duke e bërë tashmë një realitet të prekshëm për gjithë shqiptarët.

Pano Xhixho

Në një intervistë të dhënë enkas për Newsport.al, Xhixho tregon si po e kalon këtë periudhë të karantinës ku të gjithë njerëzit janë izoluar në shtëpitë e tyre si masë e marrë në kuadër të parandalimit së përhapjes së Coronavirusit.

Futbolli në gjithë botën është ndalur, ndërsa në RTSH Sport jo. Emocionet e lojës më të bukur në botë vijojnë të mbeten të gjalla teksa çdo ditë në 3 fasha orare ritransmetohen ndeshjet më të bukura kombëtare dhe ndërkombëtare.

Si kanë qenë fillimet e Xhixhos në këtë televizion të ri? Padyshim që çdo mision ka vështirësitë e veta. Ai tregon se si e ka gjetur sportin në RTSH ndërsa sot është krijuar një Departament me gjitha kushtet bashkëkohore.

Superiorja është një nga “pengjet” e tij dhe këtë nuk ngurron ta thotë hapur se kur mund të vijë ajo që gjithë tifozët e presin me padurim. Tenton të rezervohet kur flitet për të drejtat televizive, megjithatë mjafton krahasimi që bën për supersfidat e kampionateve elitare për të kuptuar se pse sot nuk kemi një ndeshje të Superligës shqiptare në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar.

Një temë interesante që preket në këtë intervistë edhe “paga e luftës” e akorduar nga qeveria për situatën që po kalon vendi. Media dhe sporti janë dy nga gjërat më të rëndësishme të jetës, që në këtë moment të vështirë, kryeministri Rama i ktheu shpinën.

Në fund, Pano preferon t’i shmanget “gjitho-llogut” dhe apeli i tij është sa i thjeshtë dhe njerëzor për gjithë shqiptarët anë e mbanë botës.

- Fillimisht një pyetje njerëzore. Si je dhe si po e kalon këtë periudhë familjarisht?

Mirë. Jam një tip që dua të shijoj anën pozitive të gjërave edhe kur ato duken dramatike, kështu që edhe këto ditë jam përpjekur të merrem me çështje që ndoshta përditshmëria na i kishte lënë në plan të dytë. Familjarisht jemi pak në kujdes të shtuar, duke qenë se bashkëshortja është mjeke dhe i duhet të vizitojë përditë pacientë. Kjo, thjesht na ka shtuar masat e sigurisë kur hyjmë në shtëpi.      

Pano Xhixho

 

- Aktiviteti sportiv në vend është ndalur, por jo në “RTSH Sport”. Një punë e mrekullueshme për të mbajtur shqiptarët nën emocionet e futbollit...

Kjo është nga periudhat më të vështira për një ekran sportiv dhe është një situatë që nuk është përjetuar ndonjëherë, prandaj edhe vendimet duhet të merren shpejt, ndryshe opinioni dhe shikuesit ta harrojnë emrin e kanalit. Duke lënë mënjanë modestinë, me kënaqësi konstatoj se për “RTSH Sport” ka ndodhur e kundërta…

Me lejen tuaj, do doja të zgjatesha pak. Unë kaq shumë mesazhe mbështetje dhe falenderimi nuk i kam marrë as kur kemi transmetuar Kampionatin Botëror, apo ndeshje të rëndësishme. Që javën e parë, vendosëm tre “fasha-orari” transmetimesh të rëndësishme: ndeshjet e ekipeve shqiptare në Kupat e Evropës, ndeshje të sezoneve të kaluara të Superiores si dhe ndeshjet e Kombëtares shqiptare.

Kam ndjesinë që jemi një popull nostalgjik dhe na shijon për shembull, përsëri një Shqipëri - Greqi në ekran si ajo shtatorit 2004, edhe pse ia dimë edhe rezultatin edhe si kanë rrjedhur ngjarjet. Kohët e fundit, kemi shtuar edhe rubrikën e Kampionatëve Botërorë në oraret e mbrëmjes dhe sidomos ndeshje me polemika arbitrimi, si Itali – Kore e 2002-shit. Madje, për këtë ndeshje u bë sërish moviola e rasteve të diskutueshme të arbitrit Moreno.

Sa i përket edicioneve informative, ato kanë vazhduar, jo me ritmin e një sezoni të rregullt, por jemi munduar të sjellim nëpërmjet lidhjeve “skype” disa nga protagonistët e sportit tonë. Nuk dua të lë pa përmendur edhe dy programe të reja të kësaj periudhe. Në oraret e drekës, në bashkëpunim me FSHF-në, po japim në ekran ushtrimet për futbollistët e të gjitha moshave në kushtet e shtëpisë.

Në pasdite ka kohë edhe për “zumba” e “fitness” që t’i shërbejmë edhe asaj pjesës tjetër të familjes që nuk ndjek domosdoshmërisht sport në ekran.       

- Prej afro 6 vitesh në krye te departamentit të sportit në RTSH. Si mendon se do të ndikojë kjo situatë në sportin shqiptar dhe veçanërisht në futbollin tonë?

Jeta nuk do të jetë e njejtë pas kësaj periudhe aspak të zakonshme, e aq më shumë sporti. Nuk është nga ato situata që çudia i zgjat vetëm tre ditë… Në sportin tonë do ndikojë negativisht sepse është ende i brishtë. Ne sapo i gëzoheshim stadiumit të ri, modern, ndeshjeve derbi me shumë tifozë, tashmë duhet të mendojmë përsëri, se si t’i afrojmë njerëzit tek sporti. Ndoshta është periudha më e mirë, që sporti t’i kthehet formalitetit. Siç e thashë më sipër, ata që drejtojnë futbollin kanë një periudhë të artë për të bërë një “restart”.      

- Media dhe sporti dy pjesë të rëndësishme të jetës jashtë ndihmës financiare të qeverisë. Komenti juaj?

Kur thuhet media më duket sikur mbetet në hije gazetaria sportive, së cilës edhe në edicionet e lajmeve i rezervohen minutat e fundit, ndërkohë që energjia pozitive që përcjell sporti apo edukimi i shëndetshëm i brezave, shërben shumë që të tilla situata pandemike të kalojnë sa më lehtë.

Patjetër që nuk jemi një shtet me “dhjamë” dhe nuk mund të kërkojmë gjëra të parealizueshme, por duhet të gjenden mundësitë e ndihmës. Kjo është një periudhë në të cilën bizneset që reklamojnë zakonisht në media, janë tërhequr, prandaj them duhet të gjendet një zgjidhje. Shteti duhet të bëjë ndërmjetësin në të tilla raste, sepse është kollaj të thuhet: “S’ke të ardhura, mbylle median”. Duhet menduar diçka.   

- A jeni pro apo kundër idesë që futbolli të luhet me dyer të mbyllura?

Kurrësesi! Jeton dot peshku pa ujë?! Lajmi që qarkullonte në mediat spanjolle, për një periudhë 18-mujore të futbollit me dyer të mbyllura, ishte i frikshëm. Normalisht rregullat do të ndryshojnë dhe patjetër që futbolli do të nisë pa tifozë, por nuk mund të vazhdojë gjatë, sepse do privohen gjithë aktivitetet argëtuese që janë po aq të domosdoshme për shëndetin. Sallat e teatrit, kinemasë, muzikës dhe sportit nuk duhet të rrinë shumë gjatë mbyllur, sepse rrezikojmë të rrisim breza me formim të cunguar.

- A është Belgjika shembulli që Shqipëria duhet të ndjekë?

Jo! Ende po komentohen titujt e dhëna në tavolinë kudo ku ka ndodhur. Titujt dhe trofetë fitohen në fushë. Edhe në Belgjikë mesa di janë penduar. Gara duhet të përfundojë.

- Flasim pak për punën tuaj në departamentin e sportit në RTSH. Brenda pak vitesh arrite të krijonit një “skuadër” simpatike me gazetarë të kualifikuar. Sa e vështirë ka qenë për ju?

Kjo ka qenë një sfidë e madhe në aspektin personal. RTSH-së i mungonte një department sporti edhe pse ka transmetuar gjithmonë sport. Nuk jam nga ata që them gjeta një tokë të djegur, por duke parë realitetin e fillimit, dukej një mision i pamundur. Për sportin në RTSH, kishte vetëm një zyrë me dy kompjutera dhe tre gazetarë. Sot kemi një televizion, një godinë për sportin, zyra për gazetarët, studio montazhi të dedikuar dhe studio për emisionet sportive. Natyrisht, pa mbështjetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së, këto nuk do të bëheshin kurrë realitet, me gjithë dëshirën dhe vullnetin e një personi. Tashmë RTSH Sport është një realitet i prekshëm dhe unë personalisht ndihem krenar që jam pjesë e tij.

- Disa kritikojnë atë 100-lekëshin, por shumë të tjerë mbështesin punën e bërë nga ju. Ndeshje të shumta nga vendi dhe bota, aktivitete sportive të ndryshme që përcillen vetëm në ekranin e RTSH Sport. Cila do të ishte surpriza e radhës?

RTSH ka vuajtur shumë nga ky mentalitet. Në fakt, për çdo gjë publike unë shikoj një dëshirë e madhe të një pjesë të shoqërisë për ta sulmuar, anatemuar, shpesh herë pa të drejtë dhe në disa raste sulmet kanë qenë edhe të “orkestruara”.

Duhet të ndryshojë qasja e shikuesve ndaj transmetuesit të tyre. Në RTSH, janë gjithë shqiptarët aksionerë me atë 100-lekëshin në muaj dhe duke parë reformimin, më së paku duhej një mbështetje më e madhe për transmetuesin publik. Askush nuk thotë dot sot, se RTSH-ja e sotme është njësoj me atë TVSH-në e  viteve të shkuara.

Nga vetëm një kanal, sot kemi një paketë digjitale me 13 kanale në ekran dhe 6 kanale në radio. Kemi televizionin dhe radion në telefon me aplikacionin “RTSH Tani”. E pra, është e njëjta taksë që është marrë edhe para disa vitesh. Kjo meriton mbështetje si fillim, pastaj, ka vend për kritika? Patjetër që ka. Shqiptarët duhet ta shikojnë si pronën e tyre publike RTSH-në. Ndjesë që u zgjata pak tek kjo temë, por është diçka që më prek gjithmonë.

Sa i përket ekskluziviteteve, e them me kompetencë (duke takuar shpesh homologët në takime ndërkombëtare), RTSH ka një “buqetë” sportive që nuk e ka asnjë media publike në Evropë, asnjë. Edhe nëse flitet për një rritje të taksës së aparatit, kjo do të sjellë në ekran pa pagesë shumë kampionate dhe eksluzivitete (po flas për sportin) që as nuk mund të konceptohen. Nëse mendohet më thellë, kjo do të jetë kursim për njerëzit.

Sa për surprizën, patjetër që do ketë, do jetë e madhe madje. Por momentalisht mund të them vetëm kaq: Do t’i mbajmë në shtëpi tifozët edhe pas kësaj pandemie.                           

- Ekranit tuaj i mungon një ndeshje e Superiores për të plotësuar kornizën e pikturës së bukur që keni arritur ta realizoni. A ka ndonjë mundësi apo marrëveshje në sfond, së paku të transmetohet një të ashtëquajturat “kryendeshja” e javës?

Superiorja është “pengu” ynë. Patjetër që përpjekjet kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë të mëdha për të arritur që shqiptarët të shikojnë pa pagesë të paktën një ndeshje në javë. Nëse do të ishte luajtur drejt (fair) në tenderat e të drejtave televizive, do ta kishim…

Fakti që kemi Kupën e Anglisë, të Gjermanisë apo Spanjës dhe nuk kemi Kupën e Shqipërisë tregon që vullneti ynë për të siguruar sporte elitare nuk ka munguar… Ndoshta, dikujt nuk i duhet që aktiviteti kombëtar elitar i futbollit të ndiqet pa pagesë nga shqiptarët. Por ne, do vazhdojmë përpjekjet tona. Ndiqni lajmet në Evropë.

Në Gjermani apo Itali ka presion që “Bundesliga” apo “Serie A” të transmetohen në televizione kombëtare pa pagesë kur të nisin, duke qënë se fillimisht do të luhen pa tifozë…      

- Në këtë periudhë të karantinimit, si drejtues dhe si gazetar, cili është apeli juaj për njerëzit e sportit në veçanti dhe gjithë shqiptarët në tërësi?   

Unë nuk kam ndonjë apel të veçantë, aq më shumë që nuk marr dot pozitat e “gjithollogut”. Unë thjesht dua t’i them atyre që do të lexojnë këtë intervistë: Eshtë koha për të dhuruar dashuri e mirësi. Kemi kohë plot për një telefonatë me miqtë, qoftë edhe ata që i kemi jashtë Shqipërisë. Do ndihemi më mire. Jeta është shumë e shkurtër që të luftojmë e të grindemi me të kaluarën… 

SHËNIM: Për të gjithë ata që nuk e dinë, Pano Xhixho ka qenë një kampion noti për të rinj dhe për të rritur dhe në garat 100, 200, 400, 1500 metra stil i lirë, 200 metra katërnotim dhe 100 metra delfin. Ndodh rrallë të gjesh në gazetarinë sportive shqiptar kampionë, apo aq më tepër të ardhur nga fusha e sportit për të cilën shkruajmë përditë. Me një eksperiencë 20-vjeçare në gazetarinë sportive, sot ka arritur të ngrejë një departament sporti në Radio Televizionin Publik Shqiptar, themelet e të cilit duken shumë të forta dhe e ardhmja mjaft premtuese.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga