
Ildian Shyti është një ndër lojtarët më të mirë dhe të formacionit bazë tek skuadra e Bylisit dhe një ndër më të mirët e Kategorisë së Parë në rolin e tij. Në një intervistë të dhënë për newsport.al, 26 vjeçari ka folur për një sërë temash, duke filluar që nga presidenca e deri tek tifozët që ka kjo skuadër.
Shyti shprehet shumë i bindur se Bylisi ka rival vetëm veten për t'u ngjitur në Superiore dhe se asnjë ekip tjetër nuk mund t'i ndalë ata këtë sezon për të ardhur në elitën e futbollit shqiptar.
Mirëpo, cila është skuadra që djaloshi nga Pogradeci bën tifo? Padyshim që është prej atyre që ka shkruar historinë e futbollit shqiptar.
- Ildi na tregoni pak situatën tek skuadra e Bylisit. Jeni në vendin e parë dhe në rrugën e duhur për në Superiore. Mendoni se do ia dilni deri në fund?
Situata këtu është shumë mirë, "super" me pak fjalë. Që nga presidenca që është treguar korrekte në të gjitha aspektet. Tek stafi që punojnë me një seriozitet të madh dhe tek grupi që mbizotëron harmonia. Sa për vendin e parë mendoj se e kemi treguar që e meritojmë të jemi aty dhe patjeter që do të shpallemi kampion në Kategorinë e Parë dhe do ta rikthejmë Bylisin aty ku e ka vendin, në eliten e futbollit shqiptar, në Superiore. Respekte për ekipet e tjera, por Bylis ka rival vetëm Bylisin.
- Çfarë mendimi keni për faktin se në ndeshjen me Tomorin i morët piket në tavolinë?
Me vjen keq për ekipin e Tomorit që është në një situatë të tille, por ky është futbolli. Ne gjithsesi do t'i merrnim 3 pikët edhe duke u përballur në fushë.
- Kush mendoni se është çelesi i suksesit tek skuadra e Bylisit që po vijnë rezultatet e mira?
Gjithcka fillon tek organizimi. Si eshte ndertuar kjo skuader dhe kushtet qe ne kemi ketu si per fjetje ushqimin dhe stervitjen e regullt madje dhe dy seanca ne dite qe jo cdo ekip ne kategorine e pare i mundeson keto kushte.. qe ne fillim eshte ndertuar nje ekip me synimin superiore dhe do ja dalim
- Besa është në vendin e dytë. I trembeni skuadrës së Kavajes?
Respektojmë kundërshtarin, por e thashë pak më lart që Bylis ka vetëm një rival. Veten e vetë.
- Keni shënuar vetëm 1 gol. Mendoni se jeni pak prapa në këtë aspekt?
Sigurisht do doja të shënoja më shumë, por më e rëndësishme është të fitoje ekipi, pak rëndësi ka kush shënon.
- Me cilën skuadër do të dëshiroje të luaje në Superiore përveç Bylisit nëse ngjiteni?
Që në fëmijëri jam tifoz i Tiranës dhe do ishte diçka e bukur nëse një ditë do të luaja me fanelën bardheblu.
- Keni ndonjë koment për tifozët ballshiot?
Patjetër. Janë në mbështetjen tonë kudo që luajmë, brenda dhe jashtë. Për këtë i falenderojë shumë.
- Shyti na thoni diçka per ish-skuadrën tuaj, Pogradecin. Mund të riktheheni për të luajtur një ditë aty?
Është ekipi im i zemrës, ekipi që më formoi si futbollist dhe me vjen keq që nuk ndodhet në 5 vendet e para. Jam i sigurt që një ditë do luaj përsëri për ngjyrat e qytetit tim.
/Nazif Zylali/