
Donjet Shkodra është një nga lojtarët e larguar në këtë merkato dimri nga radhët e skuadrës së Kukësit. Mesfushori fantazist momentalisht po shijon pushimet e janarit dhe ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij. Në vendin tonë u përfol se klubi i Tiranës ishte interesuar për shërbimet e tij, por në fakt s'ka pasur asgjë të tillë.
Newsport.al ka kontaktuar vetë Shkodrën i cili tregon se nuk ndodhet në Shqipëri dhe gjasat për një rikthim në Superiore janë të pakta. Zbulon se ka mbyllur aventurën me Kukësin, por ende s'ka marrë të gjithë rrogat.
- Donjet, jeni larguar prej disa ditësh nga Kukësi dhe nga Shqipëria. Me çfarë po merreni momentalisht?
Jam duke pushuar pranë familjes sime. Është vërtetë që jam larguar dhe nga Shqipëria, pra numri im i celularit s'ka qenë aktiv.
- Ka pasur aludime se ishit në listën e dëshirave të klubit të Tiranës për merkaton e dimrit. A ka pasur diçka konkrete?
Unë s'kam asnjë informacion për këtë që po thoni ju. Kam lexuar në media diçka të tillë, por kurrë s'kam pasur një ofertë nga ana e Tiranës.
- Patët disa herë probleme te Kukësi. Njëherë në formacion, herën tjetër jashtë. Më pas u përfol që ishit pezulluar, ndërsa në fund u duk se u vu "paqja". Madje, prania juaj në video-urimin e festave të fundvitit ishte si një "shërbet bakllavaje". Pse ky largim i papritur?
Pas bisedës që pata me drejtuesit, vendosa të largohem dhe kjo ishte zgjidhja më e drejtë.
- A do të ktheheni më në Shqipëri?
Nuk e besoj. Shanset janë të pakta.
- Shqipëria "shquhet" për mungesën e korrektëses në paga. Jeni likuiduar nga Kukësi?
Ende jo. Nuk e kemi mbyllur çështjen e financave.
- Oferta nga klubet të tjera jashtë Shqipërisë?
Kam disa, por ende s'kam zgjedhur. /Retin TOKA/