
Skuadra kuqeblu i është bashkuar lojtarëve dhe skuadrave të tjera të Superiores, të cilat kanë marrë pjesë në aktet e dhurimit të ushqimit dhe veshjeve për familjet në nevojë. Sot ka ndodhur akti i parë i dhurimit. Dy lojtarët kuqblu, Ndriçim Shtubina dhe Alsid Tafili në emër të skuadrës që përfaqësojnë kanë ndërmarrë gjestin fisnik të bamirësisë.
Vllaznia ka shfrytëzuar faktin e festës së Kurban Bajramit dhe kanë shkuar te shtëpia e të moshuarëve në Shkodër, ku në këtë ditë kanë dhuruar mish për moshën e tretë, duke i bërë që të gëzojnë një ditë ndryshe.
Kjo iniciativë është marrë në emër të të gjithë ekipit pas ndeshjes kundër Partizanit. Kjo gjë do të vazhdojë pas çdo ndeshjeje të kampionatit, ku burimet financiare do të jenë xhepat e lojtarëve dhe stafit. Këtë e pohon kapiteni i Vllaznisë, Shtubina, i cili shprehet: "Kemi bërë si plan të gjithë ne futbollistët e ekipit që pas çdo ndeshje të luajtur, do të mbledhim një shumë lekësh për njerëzit në nevojë. Këtë radhë i takoi Kurban Bajrami dhe menduam që t'i çonim tek Azili i pleqve, ndërsa radhët e tjera do t'i çojmë tek familjet e varfra".