Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SPORTMIX

Ilir Meta mesazh për Ymer Pampurin: Iku nga jeta në heshtje, ashtu siç nuk mori nderimin që meritonte

Shkruar nga NEWSPORT

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dërgoi një mesazh ngushëllimi për largimin nga jeta të peshëngritësit të shquar shqiptar Ymer Pampuri.

"Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të legjendës së sportit shqiptar Ymer Pampuri.

Peshëngritësi i famshëm shqiptar, i pari kampion olimpik, por edhe kampion i botës në ngritje peshash në vitin e largët 1972, në Olimpiadën e Mynihut, nuk është më midis nesh.

Ymer Pampuri iku në heshtje, njëlloj siç e jetoi në heshtje kohën tonë të zhurmshme, e cila dje dhe sot, nuk i dha, për fat të keq, mirënjohjen dhe nderimin që meritonte.

Edhe pse Ymer Pampuri e nderoi si askush tjetër Shqipërinë dhe sportin shqiptar.

Edhe pse janë të paktë ata që kanë merituar si Ymer Pampuri duartokitjet e nderimit nga të gjithë ne.

[caption id="attachment_74526" align="alignleft" width="300"]Meta Ilir Meta, kryetari i Kuvendit te Shqiperise[/caption]

Një njeri i mirë që kishte nisur që fëmijë sportin e forcës në Cirkun e Tiranës dhe e vazhdoi në pedanën e peshëngritjes, sot, në moshën 73 vjeçare nuk është më.

Duke ikur na kujtoi të gjithëve pikërisht shkëlqimin e tij ende të pabesueshëm për medaljen e artë që mori duke shënuar emrin e tij në histori.

Ikja e tij dëshpëroi të gjithë, kë e ka njohur dhe kë vetëm ka dëgjuar për të. Dëshpëroi dhe ata që e njohën dhe dëgjuan për të vetëm pas ikjes së tij. Duke u larguar Pampuri i madh na kujtoi të gjithëve rëndësinë e pafundme të kujtesës së gjithë shoqërisë, e cila shpesh nuk funksionon.

Me ikjen e heshtur tani në dimër, Ymer Pampuri na kujtoi praninë e tij të pazhurmshme në të gjitha stinët tona të këtyre viteve. Kampionit të forcës ju desh shumë forcë për të jetuar më pas jetën e tij të zakonshme e të vështirë.

Ymer Pampuri la pas emrin e madh. Tani ai nuk ka nevojë për askënd; kujtesa jonë ka nevojë të krenohet me kampionin e madh në shpirt e forcë dhe të vogël në trup, të parin sportist të artë olimpik e botëror shqiptar. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!", lexohej në mesazhin e ngushëllimit të kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga