Partizani është në kërkim të një trajneri me eksperiencë në futbollin shqiptar. Kampionët në fuqi të vendit shkarkuan dje italianin Sormani, që veç humbjeve dhe situatës aspak të mirë në klasifikim, la në baltë skuadrën duke mos e udhëhequr nga stoli në derbin ndaj Tiranës, pikërisht kur te të kuqtë rezultuan pesë lojtarë pozitiv me Covid-19.
Një ndër emrat e lakuar si pasardhës I Sormanit është trajneri aktual I Skënderbeut, Ilir Daja. Kryeqytetasi shihet nga presidenti Demi dhe drejtori Rama si njeriu I duhur për stolin, ndërsa me eksperiencën e tij pritet të sheshojë gjërat në kampin e kuq. Mirëpo Daja duket se ka një tjetër rival të denjë për stolin e Partizanit.
Bëhet fjalë për Mirel Josën, që ka fituar tre herë titullin kampion me Skënderbeun në vitet 2013-2016, duke bërë mirë edhe në grupet e Europa League. Duket se te Partizani janë të pavendosur, ndërsa Ilir Daja pret me ankth përgjigjen e Gjykatës Federale të Zvicrës mbi çështjen e dënimit të Skënderbeut, për të vendosur më pas të ardhmen.