
Tirana humbi dje 0-1 me Zrinjski në “Air Albania”. Ndeshja e parë e turit të dytë të Conference League ka folur për miqtë nga Bosnja, që iu falën një 11 metërshi të kthyer në gol nga Bilbija në minutën e 12-të.
Pas ndeshjes për mediet ka folur presidenti i Tiranës, Refik Halili. Numri një i bardhebluve ka thënë se 2-3 lojtarë nuk kanë dhënë atë që pritet, ndërsa eksperienca është gjë e madhe në Europë. Halili nuk dorëzohet për ndeshjen e kthimit, ndërsa shton se për në Superligë skuadra nuk ka nevojë për merkato.
“Ndeshja? Skuadra ka bërë mirë pavarësisht rezultateve. E kam dëgjuar profesorin dhe i them edhe vetes time që eksperienca është gjë e madhe. Lojtarët me eksperiencë dinë të lozin mirë, ndërsa ata që janë pa eksperiencë janë në presion dhe e kanë pak të vështirë. Krahas kësaj janë edhe lojtarë të cilët nuk po dalin në formën e tyre siç është Da Silva.
Do të ishte mirë që të bënim pak lojë më mirë. E thashë që është nga eksperienca se një pjesë e mirë e kanë aty. Kemi lojtarë që ndoshta nuk janë në formën e duhur. Unë jam paksa i pakënaqur për 2-3 futbollistë, që e dinë se kush janë e ndoshta nuk janë në formën më të mirë.
Do të thoja se skuadra më bind sa i përket kampionatit shqiptar. Jam i pakënaqur për këtë lojë. I thërras mendjes edhe vetë që duhet të bëjmë merkato edhe më të mirë për Kupat e Europës.
Merkato? Nuk ka nevojë fare ekipi për merkato për kampionatin shqiptar. Merkato është shumë e mirë për kampionatin shqiptar. Pa dashur ta nënvlerësojmë kampionatin, shikoni vetë që të gjithë duan të bëjnë merkato e marrin lojtarë, po nuk ka lojtarë.
Ne do të vazhdojmë të bëjmë ndeshjen e radhës, do të shkojmë e lozim si na ka hije. Pastaj se çfarë do të bëjmë e ku do të shkojmë do ta shohim”, tha Halili.