
Interi u mposht në “San Siro” nga Sassuolo e Nedim Bajramit, sfidë që u mbyll me shifrat 2-1. Kjo është edhe humbja e parë e sezonit për zikaltërtit. Pikërisht mesfushori i kombëtares ishte një nga autorët e golave që mposhtën Interin.
Një humbje që dhemb sipas Simone Inzaghit , i cili analizoi se çfarë nuk shkoi me të tijtë në këtë sfidë.
“Janë ndeshje që vendosen nga detaje të vogla. Skuadrës i mungoi kthjelltësia e duhur për të reaguar pas avantazhit të Sassuolos.
Zhvilluam një pjesë të parë të mirë kundër një skuadre me vlera. Por duhet të shënonim më shumë se një gol duke llogaritur rastet e krijuara.
Në të dytën e humbëm forcën tonë, nuk ishim kompaktë. Një humbje që të dhemb. Bëhet shumë e vështirë të rikuperosh kur nuk je më i kthjellët“, theksoi Inzaghi.
Kujtojmë se pas kësaj humbjeje, zikaltërtit ndodhen në vendin e parë me 15 pikë, pas 6 javësh. Po kaq pika ka dhe Milan.