
Partizani luajti dje kundër Tiranës, ndeshje që përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të bardhebluve. Arbitër i takimit ishte Eldorian Hamiti dhe pas sfidës drejtori Olsi Rama shfryu kundër lezhianit. Ai theksoi se po risheh edhe një herë pozicionin në krye të Partizanit.
Megjithatë kjo nuk është hera e parë që drejtori i përgjithshëm i klubit të kuq mundohet të gjejë diçka për të kuruar atë që vërtetë po ndodh te 16-herë kampionët e Shqipërisë. Edhe në derbit e shkuar, Rama ka qenë po i njëjti duke ia faturuar humbjen gjyqtarit. Nuk ka ndenjur pa shpëtuar as Enea Jorgji, i cili është vënë në "gijotinë" nga kreu i klubit të kuq.
Në të njëjtën radhë ka qenë edhe Olsid Ferataj, i cili në ndeshjen e sezonit të shkuar kundër Teutës e pa veten të kërcënohej nga zyrtari i klubit të kuq. Ndoshta kur është momenti që një trajner duhet të largohet, ndodhin të njëjta situata te Partizani. Edhe atëherë kur u largua Sormani apo Lerda, Rama preferoi të kapej fillimisht me arbitrat e më vonë të zgjidhte hallet brenda shtëpisë.