
Viti 2023 ka qenë i artë deri tani për Egnatian, ndërsa është në garë për të fituar dhe Superkupën. Rrogozhinasit, pas fitores së sotme 1 me 2 ndaj Dinamos, janë për herë të parë në historinë e tyre kampionët e dimrit në kampionatin shqiptar.
Dhe pse ka mbetur 1 takim tjetër për t’u luajtur, diferenca nga kundërshtari më i afërt, Partizani, është 5 pikë. Kështu fatet nuk mund të ndryshohen për kreun në gjysmën e parë të sezonit. Historike për qytetin e Rrogozhinës, që ka pritshmëri të larta për të fituar dhe titullin kampion në fundin e sezonit.
Kujtojmë se në qershorin e këtij viti, Egnatia bëri të sajën dhe Kupën e Shqipërisë. Ishte fitorja kundër Tiranës, që solli kupën e parë në historinë e tyre. Ky sukses pasonte me pozicionimin në vendin e tretë për sezonin 2022/23, që ishte arritje për shkak dhe të pjesëmarrjes në Conference League.