
Trajneri i Kosovës, Alain Giresse, foli në konferencë për shtyp para duelit në Grupin 2 të Ligës C në Nations League kundër Greqisë. Strategu francez nuk dëshiron të justifikohet për mungesat, që do të jenë Zhegrova, Kololli, Lirim Kastrati, Dresevic dhe Fazliju), por fokusohet te grupi që ka në dispozicion.
“Pasi fituam ndaj Irlandës së Veriut në Prishtinë, kemi ardhur këtu për të luajtur një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj ekipit që kryeson grupin. Të shohim se çfarë do të sjellë kjo ndeshje.
Finale kundër Greqisë? Është ndeshje shumë e rëndësishme, si çdo ndeshje ndaj një kundërshtari si Greqia. Nuk mund të them se është finale ose jo, por një fitore ka rëndësi në arritjen e ambicieve tona për të fituar grupin, pse jo për të kaluar në Ligën B.
Kemi pasur shumë probleme, por të bazohemi te lojtarët që kanë mbetur në grumbullim. Deri tani mungesat kanë qenë problemet, shpresoj të mos kemi mungesa të tjera në ndeshjet e radhës. Jemi këtu me këta lojtarë, e kemi obligim të përfaqësojmë shtetin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme me këta lojtarë që kemi në dispozicion.
Na mungojnë dy lojtarë shumë të rëndësishëm në mesfushë si Dresevic dhe Fazliji. Nuk mund t’i përdorim dot, por do mbesim gjithë natën duke folur për ata që mungojnë, kështu që të përqendrohemi te këta lojtarë që kemi. Kemi mbetur me 17 lojtarë, pse nuk janë ftuar lojtarët që kanë qenë në listën e rezervës? Të gjithë ekipet kanë pasur 23-24 lojtarë të grumbulluar në fillim, njësoj si ne.
Deri tani kemi përdorur 17 futbollistë. Kemi pasur probleme me lëndimet dhe pezullimet, por nuk ka qenë kaq e lehtë të zëvendësohen ata që kanë munguar”, përfundoi Giresse.