Dejvi Bregu është padyshim një nga lojtarët më të mirë në kampionatin shqiptar. Shtatshkurtëri i Skënderbeut e ka treguar për vite me radhë se ka shumë cilësi në këmbë dhe nuk është çudi që në një kohë të shkurtër ta shohim në një kampionat më të fortë jashtë vendit. Së fundmi ai është shprehur se nëse vjen oferta e duhur, mund të largohet në merkaton e janarit nga Skënderbeu.
Vlonjati e ka sezonin e dytë që aktivizohet te Skënderbeu, duke qenë titullar absolut në formacionin e Ilir Dajës. Në shtatë javët e këtij sezoni është aktivizuar 630 minuta, ku ka gjetur një herë rrugën e rrjetës. Sezonin e kaluar ai shënoi tetë gola në 27 paraqitje, duke qenë lider i ekipit në sulm. Bregu ka mbajtur veshur më herët fanellat e Flamurtarit dhe Luftëtarit, ku ka ndihmuar këta të fundit të siguronin pas një kohe të gjatë kupat e Europës. Nëse lojtari largohet në janar, boshllëku që do krijohej te Skënderbeu do ishtë vërtet i madh.