
Manchester City është rikthyer te fitorja në kampionat, teksa mposhti 2-0 Sheffield United. Një sukses i rëndësishëm për djemtë e Pep Guardiolës, të cilët fituan falë golave të Rodri dhe Julian Alvarez.
Timonieri i kampionëve aktualë theksoi pas ndeshjes se kundërshtari u mbrojt mjaft mirë, por në fund djemtë ia dolën të sigurojnë 3 pikët. Gjithashtu deklaroi se në garën për titull këtë sezon Liverpool është një skuadër më e mirë.
“Këto ndeshje kërkojnë durim pasi bëhet fjalë për kundërshtarë që mbrohen mirë dhe në thellësi. Duhej të ishim të qetë në fushë, ata nuk kishin ardhur për të ushtruar presion dhe kështu ne duhej të gjenim momentin e duhur për të gjetur hapësirat.
Ia dolëm mirë, ishte një periudhë shumë e ngarkuar. Gara është e fortë, ne nuk jemi ende në krye dhe Liverpool është një skuadër më e mirë për momentin. Kemi pasur dëmtime dhe probleme, por jemi në lojë dhe kemi fituar shumë tituj në këtë vit.
Tani është koha për pak pushim, e kemi të nevojshëm. Janari është një muaj më pak intensiv se nëntori apo dhjetori, ndaj do të përgatitemi mirë për pjesën e mbetur të sezonit”, u shpreh Guardiola.