Të gjitha klubet duan të përforcohen në merkaton e janarit dhe në listën e dëshirave ka emra të cilët janë të realizueshëm e të tjerë që do të mbeten vetëm dëshira. Të duash dhe të tentosh është një gjë, të realizosh objektivat është një tjetër.
Emrat e parë të lakuar në mediat sportive janë të bujshëm. Hamdi Salihi ikën nga Korça, Telushi lë Vlorën për Skënderbeun, Taku lë Tiranën për kampionët, Telushi lë Flamurtarin për Partizanin apo dhe personazhe të tjerë që janë përmendur apo do të përmenden.
Të gjithë janë nën kontratë dhe pamundësia për të marrë një futbollist të paguar rregullisht është shumë e madhe. Duket gati e pamundur që lojtarë në formë dhe me ecuri pozitive në gjashtë muajt e fundit të lënë klubin ku kanë një marrëveshje të firmosur për të kaluar diku tjetër.
Që një kontratë të zhvlerësohet, nevojitet që çdo futbollist të ketë tre muaj pa u paguar, të hapë një proces gjyqësor në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve e pas kësaj të presi të prishet kontrata për tu transferuar diku tjetër. E vështirë të ndodhë me lojtarët që janë në formë e që klubet as që kanë në plan të heqin dorë nga shërbimet e tyre.
Transferimi kundrejt parave vijon të mbetet një tokë e shkelur rrallë nga drejtuesit e klubeve që sërish edhe pse do të nxisin thashetheme mediatike, do të kërkojnë përforcime jashtë vëndit.