Është luajtur për herë të parë Superkupa e futbollit amator 5×5, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Përballë në këtë sfidë u vunë kampionët në fuqi të këtij kampionati, Tirana 5×5 dhe fituesit e “Albanian Cup”, Kastriotët.
Ndeshja e luajtur në kompleksin “East Park” të kryeqytetit ka qenë mjaft emocionuese dhe shumë e luftuar deri në fund, pasi koha e rregullt u mbyll me rezultatin e barabartë 2-2, duke bërë që të dyja skuadrat t’i drejtohen penalltive për të shpallur fituesit.
Nga pika e bardhë më të saktë u treguan lojtarët e Tirana 5×5 që arritën të triumfojnë, duke fituar kështu trofeun e Superkupës 2023, një tjetër risi e futbollit amator dhe kompeticioneve të organizuara nga FSHF.
Në përfundim të sfidës u zhvillua edhe ceremonia tradicionale, me përfaqësuesit e Drejtorisë së Futbollit Amator në FSHF që shpërndanë medaljet dhe trofeun për ekipin fitues.
Kompeticionet e futbollit amator të formatit 5×5 apo edhe 9×9 kanë zgjuar një interes të madh në radhët e të apasionuarve pas futbollit, teksa ka pasur një pjesëmarrje në rritje nga ekipet për t’u regjistruar e për të marrë pjesë në këto gara.