Fundjava që sapo lamë pas pa shumë nga futbollistët e Kombëtares shqiptare të zbrisnin në fushë e të jepnin kontributin e tyre me klubet ku aktivizohen. 4 prej futbollistëve shqiptarë që luajnë në Itali, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Elhan Kastrati e Nedim Bajrami luajtën minuta të plota me ekipet e tyre respektive. Pavarësisht autogolit të shënuar në sfidën ndaj Napolit, Ismajli vlerësohet si lojtari më i mirë në radhët e Empolit me notën 7.3, një vlerësim mjaft i mirë ky për mbrojtësin kuqezi.
Sakaq, edhe mesfushori Nedim Bajrami është vlerësuar me një notë shumë të mirë nga uebsajti i specializuar për statistika, SofaScore, notën 7 teksa u aktivizua nga minuta e parë edhe në duelin ndaj Leçes. Nga ana tjetër, edhe Elhan Kastrati e Berat Gjimshiti dhuruan paraqitje të mira në radhët e skuadrave respektive.
Mbrojtësi kuqezi, Enea Mihaj është shndërruar në protagonist në Portugali, duke fituar vendin e titullarit. Djaloshi shqiptar është vlerësuar me notën 7.2 nga ‘Sofascore’, teksa javë pas jave po tregon cilësitë e tij mjaft të mira tek ekipi i Famalicaos. Edhe Arbnor Mucolli është kthyer në titullar të padiskutueshëm në radhët e Vejles në Danimarkë, duke fituar kështu besimin e stafit të ekipit të tij.
Ndërkaq, që nga minuta e parë e ndeshjeve kanë luajtur në radhët e skuadrave të tyre edhe Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Ivan Balliu e Amir Abrashi. Nga ana tjetër, talenti kuqezi, Anis Mehmeti po shndërrohet në një titullar absolut te skuadra e Bristol Sitit, duke u aktivizuar 3 ndeshje radhazi që nga minuta e parë.