Volejbollistet e famshme të Dinamos së lavdishme janë mbledhur të gjitha bashkë për të festuar një ditëlindje. Ida Vodica, zëdhënësja e Gjykatës së Lartë, i dedikon këtë status shumë të ndjerë të ëmës, ish-volejbolliste e asaj kohe, ku shkruan:
Kur ime më filloi të luante me Dinamon, ishte vetëm 13 vjeç. Ne atë kohë, unë ndoshta as nuk isha projektuar ende në ëndrrat e saj. Dinamo ishte një ekip, ku luanin goca Tirane, të vogla, punëtore dhe të talentuara. Historia e Dinamos është e gjatë, e bukur dhe e mbushur plot me suksese. Unë erdha në jetë, kur mami im kishte vendosur të shkëputej nga sporti. Por jehona dhe tifozëria, që familja ime dhe jo vetëm, bënte për këtë ekip, më kanë shoqëruar gjithmonë. Unë pata fatin të njoh vajzat e shkëlqyera të Dinamos, sepse ato vazhdonin të qëndronin së bashku, edhe pse ndonjëra prej tyre largohej për arsye nga me të ndryshmet. Unë njoha Elën, Mozën, Suzana Karagjozin, Suzana Bekteshin, Donikën, Farziletin, Lulëzimen, Silvën, Evën, por nuk pata rastin të njoh të gjitha vajzat e mrekullueshme të Dinamos, të cilat bënë epokë, me në krye Kreshnik Tartarin. Ato mblidhen herë pas here dhe gëzojnë së bashku. Sot secila prej tyre vazhdon jetën e saj. Disa japin ende për sportin, në mënyra nga më të ndryshmet, disa të tjera janë shkëputur nga sporti dhe kanë ndjekur rrugë të tjera. Por dashuria dhe respekti për njëra-tjetrën i mban ende bashkë. Janë të çiltra, të dashura, gazmore, pa komplekse, plot humor e gjallëri. Kur ulesh me to në tavolinë, të duket sikur je me disa vajza gjimnaziste, të cilat bisedojnë për gjithçka dhe qeshin me zë të lartë, pa e vrarë mendjen. Janë vajza që punuan me shpirt dhe përkushtim për Dinamon, që sot nuk kanë pasuri, por kanë prestigjin për të qenë gocat e Dinamos. Heroinat e volejbollit shqiptar. Unë mund të shkruaj pa fund për to....historia ka shkruar dhe ndoshta do vazhdojë. Por, me zemër uroj që të jenë gjithmonë së bashku, të çiltra, të pastra e plot me dashuri për njera-tjetrën, sikur i kam parë sa herë jam ulur e kam qëndruar gjatë me to. Jeni më të mirat dhe e meritoni atë që keni arritur. Ju dua shumë!!!