Partizani në volejboll për meshkuj ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt titullit kampion, pasi ka fituar edhe ndeshjen e dytë finale ndaj Skënderbeut.
Pas suksesit 3-1 në kryeqytet, të kuqtë triumfuan edhe në Korçë me rezultatin 2-3, në një përballje të luftuar deri në fund. Partizani dominoi dy setet e para 20-25 dhe 11-25, duke krijuar idenë e një fitoreje të shpejtë, por vendasit reaguan fort duke fituar setin e tretë 26-24 dhe të katërtin 25-23.
Ndeshja u vendos në setin final, ku skuadra kryeqytetase u tregua më e saktë dhe fitoi 10-15, duke marrë fitoren e dytë në seri. Tashmë Partizani është shumë pranë shpalljes kampion
Ndeshja e tretë do të zhvillohet të mërkurën në kryeqytet. Një tjetër fitore do t’i japë titullin Partizanit, ndërsa një sukses i Skënderbeut do ta zgjasë serinë.
