Nayara Ferreira, volejbollistja braziliane e ekipit të Dinamos për femra, është ngujuar prej ditësh në shtëpinë e saj në Tiranë, nën trysninë e madhe të diskriminimit, për shkak të presionit të madh publik nga media dhe rrjetet sociale.
E gjitha, pas vendimit të Federatës së Volejbollit për ta pezulluar, me kushtin që t'i nënshtrohet "testit të gjinisë", një procedurë e padëgjuar më parë në Shqipëri.
Gazetari Endi Tufa ka zhvilluar një intervistë me Nayara Ferreira dhe thotë se intervistë më të vështirë, emocionale, të vërtetë dhe të sinqertë, rrallë se ka hasur gjatë karrierës së tij të gjatë në një prej televizioneve më të mëdha kombëtare.
"Kjo është Nayara Ferreira, sportistja braziliane e "bërë shembull" nga disa klube e më pas Federata Volejbollit e pezulloi, sepse refuzoi të bënte analizën e gjinisë, Pogradeci, Vllaznia dhe Partizani (volejboll femra) e dyshojnë për mashkull, nga flokët, fiziku, tatuazhet dhe muskujt...me sa duket!
Për herë të parë dhe volejbollistja e Dinamos, e ngujuar prej disa ditësh në shtëpi nga presioni i ushtruar, në rrjetet sociale dhe nën trysninë e diskriminimit, rrëfehet ekskluzivisht në Top Channel", shkruan gazetari sportiv Endi Tufa.
Ajo mësohet se nuk e ka pritur mirë këtë vendim, por së bashku me klubin është shprehur e gatshme t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore për të sqaruar situatën. Situata ka shkaktuar habinë dhe pakënaqësinë e sportistes, e cila është shprehur se ndihet e diskriminuar dhe e lënduar nga dyshimet që i janë ngritur.
