Volejbollistja braziliane e ekipit të Dinamos, Nayara Ferreira është pezulluar përkohësisht nga aktivitetet sportive, pas disa ankesave të paraqitura në Federatën Shqiptare të Volejbollit (FSHV) në lidhje me gjininë e saj.
Sipas mediave, pas sinjalizimeve të ardhura nga ekipe rivale, Federata i ka kërkuar klubit të Dinamos që të kryejë një “test gjinie” për sportisten 32-vjeçare.
Në lidhje me këtë çështje, Federata Shqiptare e Volejbollit ka reaguar përmes një deklarate zyrtare, ku thekson se aktualisht nuk ka informacion zyrtar për t’u ndarë.
Federata nënvizon se çdo vendim do të merret vetëm pasi të jenë përfunduar verifikimet përkatëse, duke theksuar rëndësinë e respektimit të barazisë në lojë dhe dinjitetit njerëzor.
“Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV). Në lidhje me informacionet e publikuara në media lidhur me pezullimin e lojtares së ekipit të Dinamos, znj. Nayara Ferreira, Federata Shqiptare e Volejbollit dëshiron të sqarojë se aktualisht nuk ka asnjë informacion zyrtar për të ndarë në këtë moment.
FSHV po vepron me kujdes dhe diskrecion, duke respektuar parimet e fair play-it, barazisë në lojë dhe dinjitetit njerëzor. Federata mbetet e angazhuar për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent në çdo hap, në përputhje me rregulloret kombëtare dhe ndërkombëtare të volejbollit.
Për çdo zhvillim të mëtejshëm, publiku dhe media do të informohen përmes kanaleve zyrtare të FSHV-së”, shkruan Federata Shqiptare e Volejbollit.
