
Tirana do të luajë kundër Zrinjskit, ndeshje e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Bashkë me bardheblutë në Bosnjë ka udhëtuar edhe delegacioni i kampionëve, veçanërisht presidenti Refik Halili. Një vizitë e papritur në hotel nga trajneri Sliskovic Blaze dhe Toni Pezo kanë surprizuar kreun e klubit kryeqytetas. Klima mes tyre duket mjaft pozitive dhe kjo shihet edhe nga një foto e siguruar nga Newsport.al.
Bashkë me Pezon, trajnerin Blaze dhe Halili shfaqet edhe drejtori sportiv, Tefik Osmani. Ata po kujtojnë ndeshjen e Tiranës me Milanin ku bardheblutë triumfuan me rezultatin 2-1. Profesori Blazhe tregon momentin kur Carlo Ançeloti u afrua te pankina kryeqytetase dhe e uroi para sfidës. Të dy kishin luajtur bashkë në Itali në vitet 86’-87’, ndërsa respektin për njëri-tjetrin vijojnë ta ruajnë të freskët dhe sot e kësaj dite.
Sot, Tirana do të luajë kundër Zrinjskit, në kuadër të turit të dytë të Conference League. Sfida e parë ka përfunduar me rezultatin 1-0 në favor të boshnjakëve, por optimizmi është i madh për një përmbysje nga kampionët e Shqipërisë.