Kombëtarja shqiptare do të përballet me Moldavinë nesër në orën 18:00 për të zhvilluar ndeshjen e parafundit të grupeve në kualifikueset e Euro 2024. Vetëm 1 pikë na mjafton për të siguruar matematikisht ëndrrën e kualifikimit në Gjermani.
Sylvinho ka stërvitur djemtë e Kombëtares në seancën e fundit stervitore dhe në mendjen e tij e ka ndarë për formacionin startues. Fituesit nuk gjykohen, as ndërrohen, dhe kështu braziliani do t’i besojë sërish formacionit tipik që e solli deri këtu.
Berisha në portë dhe 4-shja para tij e formuar nga Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj. Në mesfushë Asllani dhe Ramadani e para tyre Nedim Bajrami. Jasir Asani në të majtë, ndërsa djathtas do të jetë sërish Taulant Seferi. Pozita e bomberit do t’i besohet sërish veteranit Sokol Cikalleshi.