
Orges Shehi ka folur pas fitores së djeshme të Tiranës kundër Erzenit. Bardheblutë triumfuan 2-0, ndërsa trajneri kryeqytetas u shpreh i kënaqur për atë që lojtarët e tij dhanë në fushë ndaj shijakasve.
Mungesat kanë penalizuar disi kampionët, megjithatë ai është optimist për të ardhmen. Gjithashtu publikisht u kërkoi drejtuesve të shpejtojnë në merkato për të afruar elementë cilësorë që do të mund të bëjnë diferencën në sezonin e ri.
“Kishim shumë mungesa, pasi në fushë ishte vetëm 50% e skuadrës së vitit të kaluar dhe asnjë prej mesfushorëve. Totre dhe Toli janë larguar tashmë, ndërsa Limaj mungonte për shkak dëmtimi. Pikërisht për këtë arsye, mund të them se jam i kënaqur, megjithatë kemi ende shumë punë për të bërë.
Merkato? Pres që të sqarohet sa më shpejt situata e Seferit dhe të kompletojmë ekipin me futbollistë cilësorë, pasi nuk do të jetë aspak e lehtë. Në Shqipëri është e vështirë, pasi lojtarët cilësorë kanë firmosur tashmë me ekipet e tyre, megjithatë jam optimist që brenda javës së ardhshme do të marrim futbollistët që na duhen”, tha Shehi për Supersport.