
Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova foli në konferencën për shtyp përpara ndeshjes ndaj Ararat-Armenia, nesër në Elbasan Arena. Tekniku ishte optimist, teksa u shpreh se atmosfera brenda në skuadër është shumë pozitive.
“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Gjatë javës, stërvitjet kanë qenë me shumë intensitet. Jam i kënaqur për atë që ka shfaqur grupi deri në këtë moment. Sa i takon ndeshjes, gjithçka do t’i përkasë ditës së enjte. Kemi parë që kundërshtari ka afruar futbollistë të tjerë, por besoj që grupi i tyre me aq sa kemi parë gjatë këtyre ditëve do të jetë i njëjtë. Shpresojmë për më të mirën.”
Ndeshja e parë.
Loja nuk iu përshtat rezultatit. Ky është një fakt që u pa nga të gjithë. Shpërdoruam mundësi të arta për ta fituar ndeshjen, por ashtu siç shkoi morëm një gol nga një goditje standarde që mund ta evitonim. Por, ajo që na kënaq më shumë është që barazuam ndeshjen dhe në sfidën e dytë shpresojmë të marrim një rezultat të favorshëm.
Mesazhi për tifozët…
Çdo ekip ka nevojë për tifozët. E kemi thënë dhe përpara, ata janë gjithmonë lojtari i 12-të. Shpresoj t’i kemi në numër të konsiderueshëm për sfidën ndaj Ararat.