
FIFA ka dhënë dritën jeshile për Toni Domgjonin. Mesfushori i Vitesse ishte risia e trajnerit Challandes për ndeshjen ndaj Suedisë dhe Gjeorgjisë të vlefshme për Kupën e Botës, por më parë lojtari duhet të merrte leje nga FIFA pasi ishte aktivizuar me të rinjtë e Zvicrës.
Përmes një postimi në faqen zyrtare, Federata e Kosovës bën me dije se FIFA sot ka dhënë miratimin dhe Domgjoni do të jetë gati për të bërë debutimin e tij me përfaqësuesen "dardane".
Postimi i Federatës së Kosovës:
Kombëtarja e Kosovës ka marrë një lajm të mirë në prag të udhëtimit për në Suedi në kuadër të kualifikimeve për Botërorin "Katari 2022". Në fakt, FIFA e ka njoftuar sot FFK-në se kërkesa e saj për ndërrimin e kombëtares për mesfushorin e klubit holandez, Vitesse, Toni Domgjoni është miratuar dhe ai ka të drejtë të luajë për ekipin kombëtar të Kosovës.
Vendimi i Dhomës së Tribunalit të Futbollit në FIFA për shqyrtimin e statusit të lojtarëve ka efekt të menjëhershëm. Kjo do të thotë se Toni Domgjoni, i cili iu bashkua Dardanëve në grumbullimin e këtij muaji, do të ketë të drejtë loje qysh nga ndeshja kundër Suedisë. Federata e Futbollit e Kosovës i gëzohet këtij vendimi dhe i dëshiron suksese Toni Domgjonit në fanellën dardane.