
Gjykimi në Superligë është bërë temë e fortë diskutimi gjatë javëve të fundit.
Shumë kontestime nga të gjitha skuadrat, kush më shumë e kush më pak, javë pas jave ankohen se gjykimi është tendencioz.
FSHF ndoqi një praktikë ndryshe këtë sezon në lidhje me arbitrat. Në ndeshjet e rëndësishme u anashkaluan gjyqtarët e FIFA-s si Enea Jorgji, ndërsa u dënuan Lorenc Jemini e Andi Koçi, ndërsa Kridens Meta nuk është preferuar.
Në vend të tyre kanë gjykuar arbitra të rinj në moshë si Hamiti, Myrtja e të tjerë.
Por në 'apel' të ndeshjeve të javëve të fundit janë thirrur edhe gjyqtarë që, edhe pse me eksperiencë, në Superligë iu besoheshin ndeshje më pak në krahasim me Jeminin apo Jorgjin e Metën. Bëhet fjalë për Blerim Zirin apo edhe Laver Allën.
Në sfidat e djeshme, gjyqtarët u bënë protagonistë me vendimet e tyre. Katër nga pesë ndeshjet e javës së 34-t mund të thuhet se u vendosën në një farë mënyre nga gabimet e arbitrave.
Strategjia e ndjekur nga FSHF për të caktuar gjyqtarë të rinj, edhe një herë tjetër nuk i shuajti polemikat, por as gabimet e tyre nuk u rralluan.