
Shqipëria do të luajë finalen e jetës sonte përballë Spanjës në orën 21:00, në Dusseldorf Arena. Kuqezinjtë kërkojnë të bëjnë mrekullinë duke tentuar 3 pikët ndaj Spanjës favorite për të kaluar 'Grupin e Ferrit'.
Drithërima, emocione, ankth, të gjitha ndjenjat e mundshme qarkullojnë nëpër shkallët e stadiumit e në çdo vend ku ka shqiptarë. Mbi 40 mijë kuqezinjë do të jenë në tribunë duke 'pushtuar' sërish stadiumin.
Në Dusseldorf Arena flitet vetëm shqip dhe tifozët kanë nisur prej orësh brohoritjet duke pritur mbërritjen e lojtarëve në fushën e lojës. E para që shkeli fushën ishte Kombëtarja spanjolle e cila u shtang që në momentin që doli nga tuneli.
Fërshëllima të shumta nga tifozët shqiptarë që e bënë të dukej sikur po luhet në 'Air Albania'.