
Euro 2024 do të jetë kompeticioni i fundit i Toni Kroos. Mesfushori gjerman do të “varë këpucat” në gozhdë pas Kampionatit Europian dhe kërkon që ta mbyllë me trofe.
Gjermani e mbylli me trofeun e Champions League aventurën e tij te Real Madrid, ndërsa të njëjtën gjë synon ta bëjë edhe te Gjermani. Sigurisht nuk do të jetë e lehtë, por shprhet se skuadra e tij nuk ka asgjë për të humbur.
Gjithashtu Kroos nënvizon se Gjermania ka një gurp të fortë dhe është e gatshme të përballet me çdo kundërshtar. Me 14 qershor skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsmann do të hapë Euro 2024 në sfidën ndaj Skocisë në orën 21:00 në “Allianz Arena” në Mynich.
“Nëse nuk kemi bërë shumë mirë në kompeticionet e fundit nuk është për shkak të mungesës së talentit. Nëse shikojmë skuadrën, kemi një numër lojtarësh mbi 30 vjeç, nga Manuel Neuer tek Ilkay Gündogan, nga Pascal Gross te Thomas Müller dhe Niclas Füllkrug. Problemi, për mendimin tim, ishte se lojtarët nuk ndanin të njëjtën ide, ata nuk ishin bashkuar mirë.
A ka kaluar “ngopja” nga triumfi i Champions League? Po, ndihem shumë mirë. Është e rëndësishme të kuptosh që ke arritur një qëllim të madh, por nuk mund ta shijosh vërtet për më shumë se dy ditë. Kjo është diçka që nuk mund të ndryshohet në futbollin e niveleve të larta.
Objektivat në Euro 2024? Kam ndjenja shumë pozitive. Mendoj që, nëse fitojmë ndeshjen e parë, mund të krijohet një eufori e cila do të na çojë larg.
Debutimi? Asgjë nuk është e humbur, por ne patjetër duam ta fillojmë me një ndeshje pozitive. Ne ia dolëm ta bëjmë këtë herën e fundit në vitin 2016. Dhe Kampionati Europian në Francë ishte turneu i fundit në të cilin bëmë një paraqitje të mirë.
Sa i fortë është grupi? Ne mund të përballemi me çdo kundërshtar.", ka mbyllur veterani gjerman.