
Zvicra u eliminua në çerekfinale të Euro 2024, pasi u mposht nga Anglia me rezultatin 3-5 pas penalltive. 120 minuta lojë përfunduan në barazim 1-1, ndërsa nga pika e bardhë e 11-metërshit, anglezët u treguan më të saktë.
Pas kësaj ndeshje, para mediave ka folur sulmuesi i Zvicrës, Xherdan Shaqiri. 32 vjeçari thotë se ndihet krenar për ekipin dhe mënyrën se si luajtën. Më tej, sulmuesi shton se Anglia luajti ndeshjen më të mirë deri më tani në Europian.
“Mendoj se zhvilluam një turne shumë të mirë. Jam shumë krenar për ekipin dhe mënyrën se si luajtëm. Shpresoj se herën tjetër mund të bëjmë më mirë, por jam shumë krenar.
Ishte një ndeshje e shkëlqyer nga të dyja palët. Ne kaluam në epërsi, por Anglia luajti më mirë se ndeshjet e mëparshme. Në fund rezultati ishte 1-1 dhe ndeshja shkoi deri te penalltitë, të cilat janë gjithmonë 50-50. Anglia tregoi nerv më të mirë sot dhe fitoi”, ishin fjalët e Shaqirit.