
Vllaznia do të luajë nesër sfidën e kthimit ndaj AEL Limassol. Ndeshja e parë e luajtur në Qipro u mbyll me fitoren minimale për AEL, ndërsa shkodranët do të tentojnë përmbysjen në "Loro Boriçi". Sot në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Bradriç ishte edhe Liridon Latifi. Sulmuesi që nesër do të luajë si titullar u shpreh se AEL nuk është i pakalueshëm, por duhet përqendrim maksimal në fushën e lojës.
"Kupat e Europës janë gjithmonë një motivim shtesë për lojtarët. Jam duke i shijuar shumë dhe shpresoj që të vazhdoj ky ritëm me fitore dhe kualifikim pasi do të jetë shumë i rëndësishëm për ne".
Besoni te kualifikimi? "AEL është i kalueshëm, por duhet të jemi shumë të përqendruar e të jemi në ditët tonë të mirë. Ata kanë lojtarë individual të mirë dhe mund të na dënojnë shumë lehtë. Jemi një grup I fortë me një staf të mirë e shpresoj të arrijmë qëllimet tona".
Gjendja? "Kemi pasur probleme në Qipro, por tani ka kaluar një javë dhe jemi shumë mirë të gjithë".
Eskperienca në Europë dhe këshilla për lojtarët? "Kam folur me lojtarët dhe jam mundur që të japë eksperiencën time. Këshilla e vetmja që do të jepja është që të jemi të përqendruar dhe me një komunikim shumë të lartë se në kampionatin shqiptar".
Pse zgjodhët Vllazninë? "Arsyeja që zgjodha Vllazninë ishte bindja e presidentit si dhe trajneri që ka një eskperiencë të madhe në futbollin europian".
Kualifikim në kohën e rregullt apo me shtesë? "Nuk e di këtë gjë, ne do të bëjmë maksimumin tonë dhe shpresojmë që të shënojmë dy gola për të mbyllur ndeshjen. Shpresoj që edhe unë të shënoj gol pasi kjo do të jetë një gjë pozitive edhe për mua, por edhe për skuadrën.