Laçi dhe Tirana kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të “Abissnet Superiore”. Edhe pse kurbinasit mbetën me 10 lojtarë që prej minutës së 18’, ku Silva u ndëshkua me karton të kuq, sfida në “Elbasan Arena”, përfundoi në barazim 1-1.
Në përfundim të ndeshjes foli për mikrofonin e MCN, trajneri i Tiranës Erbim Fagu.
“Sigurisht na vjen keq për rezultatin po i tillë është futbolli. Ndëshkohesh kur mendon se ke lojën në kontroll. Shpresojmë të rregullojmë këto situata të vështira gjatë ndeshjes në të ardhmen”.
Çfarë do bënit më mirë? “Kemi lojtarë të rinj në stol. Patëm dëmtim të Metës, u detyruam të ndryshojmë rreshtim po prap lojtarët jo në pozicionin e tyre. E vështirë të ndryshosh rrjedhën e lojës kur nuk ke organikë të plotë. Mendoj do rikuperojmë, kemi ndeshje përpara”.
Çfarë përgjigje morët sot? “Siç thashë nuk kemi organikë të pasur. Këto lojtarë kanë luajtur pothuajse çdo 3 ditë. Armiku më i madh është lodhja fizike, për të rregulluar kemi shumë sidomos në mbrojtje. Duhet të jemi më agresive, po kjo do pak kohë se 3 ditë kam që e stërvis këtë skuadër.
Mungesat e lojtarëve? “Janë 3 lojtarët kryesorë të formacionit, patjetër që ka ngarkesë. Mund të rregullosh me këto lojtarë shumë gjëra gjatë ndeshjes”.
Çfarë mund të bënin më shumë lojtarët? “E thashë, kur shënuam gol duhet të ishim më agresivë, të kishim më shumë në kontroll ndeshjen. U goditëm në moment të papritur do thoja”.
Klasikja? “Është ndeshje shumë e rëndësishme, shumë e fortë, kemi në dispozicion 3 ditë për të përgatitur ndeshjen. Djemtë janë koshient për situatën e vështirë, grupin që kemi në dispozicion. Shpresoj ta kalojmë këtë ngërç dhe ndeshja me Vllazninë të jetë pikë kthese për këtë skuadër”.
Pse 3 ditë? “Plani i punës”.
Situata e Metës dhe Najdovskit? “Najdovski këtë javë është kthyer në stërvitje me vrapime. Shpresojmë të kthehet për 1 javë. Për Metën nesër mendoj do kemi përgjigje më të saktë për shkallën e dëmtimit”.