
Mbrëmë Tottenham u eleminua nga Milani në Champions League. Londinezët barazuan 0-0 por sfidën e parë e kishin humbur 1-0 në “San Siro”. Në stadiumin e tyre ata nuk arritën të shënin dot golin që do ta kishte çuar ndeshjen në shtesë. Sulmuesi brazilian Richarlison e nisi takimin nga stoli për Tottenham.
Tekniku italian Conte vendosi ta ruante për pjesën e dytë, por sulmuesi nuk e ka kapërdirë siç duhet këtë moment. Pas sfidës ai u shpreh i revoltuar për këtë vendim, pasi dëshira e tij ishte që ta niste sfidën nga minuta e parë.
“Unë po luaja mirë, ne fituam me Chelsea dhe West Ham dhe papritur sot isha në stol”, tha Richarlison për “TNT Sports”.
“Luajta vetëm 5 minuta kundër Ëolves, kërkova llogari dhe askush nuk më dha përgjigje. Dje më kërkuan që të bëja një test në palestrën e fitness-it dhe më thanë se nëse e kaloja do të luaja nga e para. Sot unë isha në stol. Këto gjëra nuk mund t’i kuptoj. Sërish nuk kishte shpjegime. Le të shohim se çfarë ai (Conte) do të na thotë nesër, por unë nuk jam idiot, jam profesionist që punoj fortë çdo ditë dhe dua të luaj”, ka përfunduar Richarlison.