
Kemi dëgjuar shpesh nga gjyqtarët e futbollit shprehjen: "Pas ndeshjeve na vjen mirë kur askush nuk na përmend dhe madje do të ishte më mirë, sikur të mos na kujtonte askush emrin".
Edhe pse si çdo profesion tjetër, ai i gjyqtarit të futbollit kërkon të mbajë mend më të mirin, arbitrat e këtij sporti dhe jo vetëm, marrin kënaqësi kur askush nuk merret me ta pas ndeshjeve, sepse do të thotë se thjesht kanë qenë neutralë në vendimet e tyre, pa cenuar garën dhe pa i ngrënë hakun askujt.
Të marrë në këtë kontekst, ndoshta, shumë pak është dëgjuar në kampionatin shqiptar, emri i gjyqtarit nga Lezha, Eldorian Hamiti, ose thënë ndryshe, askush nuk ka ngritur akuza ndaj tij pas ndeshjeve.
Prej dy sezonesh, Eldorian Hamiti është bërë pjesë e Superligës, duke gjykuar ndeshje në këtë kategori. Fakti që asnjë prej klubeve të futbollit nuk e ka akuzuar në asnjë moment si shkaktar për ndikim të rezultatit të ndeshjeve do të thotë diçka, ose më saktë do të thotë shumë për mënyrën sesi i ka interpretuar sfidat që i janë besuar.
I ri në moshë dhe i vendosur në fushën e lojës, Eldorian Hamiti duket se shumë shpejt do të jetë më gjyqtari për të cilin do të flitet më shumë, sigurisht, nëse vijon në këto gjurmë, për mirë dhe pse jo edhe për ndonjë mundësi që të marrë stemën e FIFA-s.