Që pas ngjitjes në Superiore, Elbasani nuk ka pasur më pikë kulminante, por vetëm ka bërë rënie të lirë. Klubi ka kaluar në pronësi të bashkisë, por edhe kjo e fundit nuk po jep zgjidhje për të ardhmen. Çdo gjë është në ajër, madje nuk ka ende datë për caktimin e stërvitjes dhe lojtarë që do të pranojnë të luajnë për fanellën verdheblu.
Së fundmi situata po shkon drejt përkeqësimit, në postin e administratorit nuk ndodhet askush, madje ka refuzime. Mësohet se Eugen Isaji nuk ka pranuar që të marrë në dorë “frenat” e klubit, duke e lënë vakant këtë pozicion. Pra, situata do të mbetet e njëjtë derisa dikush të marrë përgjegjësitë për të ndërtuar ekipin për sezonin e ardhshëm.