Rexhinaldo Faite dhe Kukësi kanë shpallur zyrtarisht "divorcin". Në një kohë kur merkato ka hyrë në fazë të nxehtë, në klubin verilindor po punojnë intensivisht për t'u përforcuar për Kupat e Europës. Fillimisht duhet gjetur zëvendësuesi i sulmuesit mozambikas.
Shumë emra janë në qarkullim, ndërsa së fundmi burime të besueshme bëjnë me dije për newsport.al që Andi Ribaj është kontaktuar nga verilindorët. Ende s'është vendosur asgjë, por gjasat janë që lojtari i cili mbylli sezonin me Flamurtarin të veshë fanelën kuksiane.
Duhet theksuar që për Ribajn ka interesim edhe nga ana e Vllaznisë që deri më tani s'ka bërë asnjë afrim. Trajneri Ernest Gjoka ka dhënë miratimin e tij për 29-vjeçarin, lojtar të cilin e ka pasur nën urdhra në kohën kur ishte te Vllaznia në sezonin 2017-2018. Zhvillime të reja priten në orët e ardhshme për sulmuesin vlonjat.
Kujtojmë që këtë sezon, Ribaj u aktivizua në 21 ndeshje me Flamurtarin, ku arriti të shënonte 4 gola.
