Tirana nuk do të ndalet në këtë merkato vere. Kampionët e Shqipërisë kanë gati përforcimet e radhës. Këtë herë s’bëhet fjalë nga tregu vendas, por nga ai afrikan. Burime të besueshme bëjnë me dije për newsport.al që veç 26-vjeçarit, Derrick Sasraku, është arritur akordi edhe me dy lojtarë të tjerë.
Emrat e tyre janë preferuar të mbeten sekret deri në finalizimin e marrëveshjes. Optimizmi është i madh në kampin bardheblu dhe si për t’i shtuar më shumë dozat, është mosha e të dy futbollistëve. Njëri është 19 vjeç dhe bën “10”-shin tipik, ndërsa tjetri 20 vjeç i mbush në tetor. Luan si sulmues, por di të përshtatet mjaft mirë edhe pas sulmuesve.
Edhe këtë herë është menaxheri i klubit bardheblu, Hektor Çomo, i cili është ingranuar maksimalisht për të sjellë në kryeqytet afrime cilësore. Goditjet fantastike, para disa sezonesh me Merveille apo më vonë me Cobinah, kanë shtyrë drejtuesit e kampionëve t’i besojnë sërish zgjedhjeve të tij.
Duhet theksuar se ende s’ka asgjë zyrtare dhe duhet pritur klubi i Tiranës për të faktuar afrimet e reja të 25-herë kampionëve të Shqipërisë. /Retin TOKA/