Luajti dy sezone në Superiore dhe arriti të shkëlqente me fanellën e Skënderbeut. Në 33 ndeshje shënoi 16 gola, duke u kthyer rrezik konstant për çdo prapavijë në Shqipëri. Peter Olainka është rikthyer të flasë për futbollin shqiptar. Lojtari që u shit për shifrën rekord prej 1.2 milionë eurosh nga kampionët e Skënderbeut te Genti në Belgjikë, në një intervistë për newsport.al ka folur për bardhekuqtë dhe Superligën. Gjithashtu ai ka treguar edhe aventurën e tij në Çeki, pasi u huazua nga Gent te Dukla e Prahës.
– Përshëndetje Peter! Si po shkon aventura juaj në Çeki?
Përshëndetje newsport.al dhe përshëndetje gjithë shqiptarëve. Në Çeki ndihem mjaft mirë dhe gjithçka po shkon përfekt. Kam arritur të shënoj 4 gola dhe tashmë jam i ambientuar me skuadrën.
– Do të riktheheni te Gent?
Nuk e di. Për sa kohë do jem te Dukla do të jap maksimumin tim.
– Rikthehemi pak në kampionatin shqiptar. E keni ndjekur?
Fatkeqësisht nuk kam pasur mundësi. Herë pas herë shoh vetëm rezultatet dhe renditjen. Kam parë që Kukësi është në vend të parë, Partizani në të dytin, ndërsa Skënderbeu në vendin e tretë.
– Kukësi, në vitin që lamë pas u shpall kampion dimri, ndërsa Skënderbeu i treti. Ç’mendim keni?
Unë besoj që Skënderbeu do të fitojë titullin e shtatë radhazi. Kukësi e bëri diçka të tillë edhe dy sezone më parë, por Skënderbeu fiton titullin. Skënderbeu është skuadra më e mirë në Shqipëri. Ju do ta shihni forcën e Skënderbeut në fazat e ardhshme.
– Në qoftë se do të riktheheshit në Shqipëri, cilën skuadër do të zgjidhnit?
Skuadra ime në Shqipëri është vetëm Skënderbeu. Çfarëdo lloj oferte të më jepte Partizani me Kukësin, do të qëndroja besnik i Skënderbeut. Pra, nëse vij në Shqipëri do të zgjedh kampionët.
– Një përshëndetje speciale për Skënderbeun dhe drejtuesit e tij?
Dua t’i përshëndes dhe dua t’i them që duhet të qëndrojnë pozitivë, se ata do ta fitojnë kampionatin. Gjithashtu duhet të rrinë koklartë, pasi ata janë kampionët e Shqipërisë. Gjithashtu dua të përshëndes tifozët korçarë dhe menaxherët. Më merr malli për ta dhe i uroj fat të mbarë. / Newsport.al/ Retin TOKA