
Ky sezon në Superiore ka dhuruar emocione të jashtëzakonshme, teksa dy javë para fundit ende nuk dihet se cila skuadër do të shpallet kampione e Shqipërisë, por gjithashtu edhe në "vallen" e mbijetesës janë në garë pesë ekipe. Flamurtari, Tirana, Laçi, Vllaznia dhe Teuta rrezikojnë seriozisht për të zbritur një kategori më poshtë.
Vlonjatët barazuan dje kundër Partizanit duke marrë një pikë mjaft të rëndësishme për mbijetesën. Por, krejt papritur ka ndodhur çudia në Vlorë. Newsport.al ka mësuar ekskluzivisht se futbollistët e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro kanë braktisur seancën stërvitore.
Shkak janë bërë rrogat e pamarra, teksa për newsport.al bëhet e ditur se te Flamurtari nuk janë paguar që në dhjetor. Edhe pse në fushë dje bënë një lojë të mirë, mësohet se presidenti Idrizi u kishte premtuar se pagat do të kalonin në llogaritë e tyre dje në orën 12:00 para takimit me të kuqtë. Por, kjo nuk kishte ndodhur.
Burime pranë klubit kuqezi bëjnë me dije për newsport.al që sot u është premtuar se pagat janë kaluar, por ka pasur probleme prej tatimeve. Megjithatë mësohet se futbollistët nuk do të stërviten në qoftë se nuk shlyhen detyrimet ndaj tyre. Madje rrezikohet të bojkotohet edhe ndeshja e së shtunës kundër Laçit, një finale që mund të vendosë mbijetesën e Flamurtarit . / RETIN TOKA