
Kjo merkato pritet të jetë shumë e nxehtë, sidomos në klubin e Partizanit pas largimit të trajnerit Franco Lerda. Jasir Asani është futbollisti i parë që ka bërë "sefte" periudhën e hyrje-daljeve duke u transferuar në Suedi. Mjaft lëvizje të tjera pritet të ketë edhe në hyrje. Mungesa e një sulmuesi "gol" ka nxitur drejtuesit të shohin për mundësi të reja.
Tregu shqiptar s'të ofron shumë, ndaj sytë janë hedhur nga ai i huaj. Ferhan Hasani është një nga lojtarët që po studiohet me kujdes nga të kuqtë. Madje sulmuesi 29-vjeçar ka mbërritur sot në kryeqytet i shoqëruar nga Ardian Cuculi dhe menaxheri i tyre. Burime të sigurta tregojnë për newsport.al se do të ketë bisedime mes palëve.
Madje, Cuculi shihet si zëvendësuesi i Dejan Boldor që me gjasë do t'i japë duart klubit të kuq në merkaton e janarit. Hasani momentalisht është pa skuadër, por cilësitë e tij në fazën ofensive kanë nxitur kampionët që të nisin bisedimet për ta pasur në gjirin e tyre. Ndërsa Ardian Cuculi është një emër i njohur në radhët e Partizanit.
Vite më parë, mëngjërashi kontribuonte për të kuqtë duke u shndërruar në një nga lojtarët e preferuar të tifozërisë së kuqe. Shtatlarti ka kontratë me Dritën në Superligën e Kosovës deri në fund të këtij sezoni, megjithatë një oferte të të kuqve me siguri nuk do t'i thonte "Jo". Zhvillime të reja priten në vazhdim ndërsa i sigurt është fakti se të dy lojtarët kanë qenë sot në zonën e "Ish-Bllokut". Dy ndeshje nga fundi i fazës së dytë, kanë nisur lëvizjet e para në klubin kampion. /NEWSPORT.AL/