
Është larg Shqipërisë, por gjithmonë pranë kampionatit shqiptar. Dritan Dervishi, një emër i njohur në futbollin tonë rikthehet në prag të supersfidës mes Skënderbeut dhe Partizanit.
Sa herë që përmendet emri i ish-drejtorit të Partizanit dhe të Kukësit, nisin polemikat. Megjithatë fakt mbetet që prej vitesh punon te Hellas Verona për gjetjen dhe afrimin e elementëve cilësorë duke ndihmuar maksimalisht skuadrën italiane.
Disa e vlerësojnë si njeriun e duhur për të formuar një ekip futbolli simpatik pasi ka diapazon të gjerë në botën e futbollit. Por, ka edhe nga ata që e kanë cilësuar si "plangprishësin" e merkatos së Partizanit në këtë periudhë dimri.
Krahas analizës për ndeshjen e sotme, Dervishi sqaron gjithë polemikat për t'i dhënë fund njëherë e mirë "thashethemeve" për emrin e tij. Gjunjët e Partizanit? Gega apo Gjici ka të drejtë? Ja çfarë mendon Dritan Dervishi në intervistën e dhënë për newsport.al.
- Dritan. Sot, luhet Skënderbeu - Partizani, një sfidë që ju e ndjeni dhe e njihni më së miri. Para 3 vitesh, të kuqtë triumfonin në Korçë dhe ishin pranë titullit kampion. Sa kanë ndryshuar skuadrat që prej atij viti?
Kanë ndryshuar shumë. Shumë futbollistë janë larguar, por gjithmonë kjo ndeshje ka bukurinë e saj. Para tre vitesh e çuam Partizanin në Champions dhe ajo fitore ishte qershia mbi tortë.
- Partizani duket në rrugën e duhur për titull, ndërsa Skënderbeu nuk e ka më atë petkun e të pathyeshmit. Megjithatë të kuqtë janë mposhtur nga korçarët në dy fazat e para. Si e parashikoni takimin e sotëm?
Skënderbeu - Partizani i ka të tre rezultatet brenda. Mendoj, pasi asnjë skuadër nuk do ta humbë sfidën.
- Edhe pse larg Shqipërisë, jeni një nga njerëzit më të diskutuar në vendin tonë. Madje është thënë për ju që punoni pranë klubiit të kuq, ndërsa në media të ndryshme kanë shkruar se jeni një nga njerëzit "plangprishës" së merkatos. A ka diçka të vërtetë?
Unë iu garantoj që punoj te Hellas Verona. Se disa njerëz duan ta përdorin emrin tim për t'u justifikuar në një të ardhme (po nuk u arrit objektivi), kjo është puna e tyre. Jam mik i Olsit. Diskutojmë me njëri-tjetrin shumë, por unë nuk punoj për Partizanin. Olsi është i aftë dhe largpamës në organizimin e klubit. Mediat kanë punën e tyre dhe i respektoj.
- Shumë fjalë për asnjë sulmues. Në dijeninë time, ju keni mbështetjen e drejtuesve për të bashkëvepruar për "hyrjet" në skuadër. A do të kemi një "njeri gol" në ekip?
Nga informacionet që kam, ju garantoj që çdo lojtar te Partizani është i zgjedhur nga trajneri. E them këtë informacion për të sqaruar disa ish-legjenda të klubit. Për sulmues pyesni Olsin dhe trajnerin Gega...
- Gjunjët e Partizanit sipas Gegës janë të fortë, ndërsa sipas Gjicit mbajnë deri në mars. Ju si mendoni, do të arrijnë të përballojnë plot 18 javë të tjera?
Gega e ka ekipin për të përballuar kampionatin. Tani të presim e të shohim. Llafet në futboll i merr era.
- Në Shqipëri ka shumë njerëz që janë skeptikë për punën tuaj. Ndërkohë që Mensah, Çinari dhe Hebaj janë "prodhim" i juaji. Pra, ju keni ndihmuar për të sjellë futbollistët e mësipërm. Një mesazh për gjithë ata?
Unë nuk flas për veten. Ia lejmë kohës të na gjykojë punën tonë. Deri tani në këto vite krahu i peshores anon në favorin tim. (Qesh) /Retin TOKA/