
Bekim Dida është një nga lojtarët më premtues te Korabi. Qendërmbrojtësi ka përfunduar në “radarin” e Partizanit dhe trajneri Sormani së bashku me stafin e tij e ka ndjekur në ndeshjen miqësore që është zhvilluar disa ditë më parë ndaj Partizanit B. Burime për Newsport.al bëjnë me dije se trajneri Italian ka kërkuar informacione për lojtarin nga trajneri i Korabit,Klevis Dalipi.
Newsport.al kontaktoi me Bekim Didën për të mësuar më shumë rreth këtij lajmi, ndërsa lojtari u shpreh se deri më tani nuk është kontaktuar nga Partizani, por është gati për të bërë hapin e madh dhe të luajë në Superligë sezonin tjetër.
“Deri më tani nuk kam pasur kontakt me asnjë nga Partizani. Kam punuar shumë dhe jam gati për të bërë hapin e madh, por për momentin jam I fokusuar te Korabi pasi kam edhe dy vite kontratë.
Dua të arrij objektivin me klubin që është Superliga e të kapim “Play Off”. Kam pasur oferta nga Superliga shqiptare, por edhe nga Superliga e Kosovës. Në fund të sezonit do të ulem të bisedoj me klubin për të vendosur më të mirën e mundshme”, u shpreh Dida. /Renaldo Gremi/