Gilberto Fortunat, sulmuesi që u bë i njohur në kampionatin shqiptar pas aktivizimit specifikisht me Tiranën, por edhe me Flamurtarin ku qëndroi për gjysmë sezoni në muajt gusht-dhjetor të vitit 2014, rikthehet të flasë për kampionatin shqiptar, por edhe për skuadrën e tij të re.
Në një intervistë për newsport.al, sulmuesi brazilian, që tashmë ka kaluar në kampionatin e Kosovës me skuadrën e Gjilanit, Dritën, rrëfen aventurën e tij më të re, por ndalet edhe te Tirana, skuadra tek e cila, tifozët e mbajnë mend për atë gol të shënuar më 7 shkurt 2014-të kundër Partizanit, duke i dhënë fitoren 1-0 bardhebluve.
-Si ndihesh në Kosovë?
-Shumë mirë. Ndihem shumë komod. Edhe këtu në Kosovë, njerëzit janë shumë miqësorë dhe mikpritës.
-Cila ishte arsyeja që nënshkrove me skuadrën e Dritës?
-Drejtuesit e klubit më treguan projektin dhe u ndjeva i vlerësuar. Projekti i skuadrës së Dritës më ekzaltoi, sepse drejtuesit e klubit duan të krijojnë një ekip të madh.
-Mund të na thuash ndryshimet mes kampionatit në Shqipëri dhe atij në Kosovë?
-Sigurisht që kampionati në Shqipëri është më i njohur dhe më i madh se ai në Kosovë. Por, mendoj se njerëzit këtu në Kosovë e duan më shumë futbollin se në Shqipëri. Edhe këtu ka lojtarë shumë të mirë dhe teknikisht ka për t’u ngritur si kampionat, shumë shpejt.
-E ke menduar ndonjëherë rikthimin në kampionatin Shqiptar?
-Po, mbase!
-Te cili ekip?
-Eh, kush e di?
-I ke ndjekur ndeshjet e Tiranës për këtë sezon?
-Po.
-Si të është dukur ekipi bardheblu?
-Më mirë se në sezonin e kaluar, sidomos në ndeshjet e fundit ka luajtur shumë më mirë. Më pëlqen trajneri Ilir Daja. Është inteligjent, e di se si ta rreshtojë skuadrën në fushë dhe bën një lojë tërheqëse, sulmuese. Di të marrë më të mirën nga çdo lojtar.
-Cili është lojtari që të ka impresionuar më shumë te Tirana në këtë sezon?
-Ilion Lika. Super, si gjithnjë! Për momentin është lojtari më i mirë. Por, mua më pëlqen Afrim Taku. Është një lojtar që i jep ekuilibër ekipit. Është futbollisti që do doja të luaja gjithë përkrah tij.
-Ç’mund të na thoni për tifozët e Tiranës?
-Asgjë më shumë se sa faktit që janë pjesa më e mrekullueshme e klubit të Tiranës.
-Ke në plan të shohësh ndonjë ndeshje të Tiranës në stadium këtë sezon, si për shembull derbin kundër Partizanit?
-Për fat të keq, jo.
-Së fundmi, një pyetje edhe për Flamurtarin, një tjetër ish-ekip i juaji në Superligë, që tashmë sërish është në vështirësi financiare…
-Mos, sërish?
-Po! Ju personalisht jeni likuiduar nga klubi i Flamurtarit?
-Po, po. Për mua është gjithçka “Ok”. / NEWSPORT.AL/ Andi TANKU