
Ashtu si deklaroi mbrëmë Olsi Rama për Televizionin Publik Shqiptar, Jurgen Bardhi do të udhëtojë sot drejt Ohrit për të nisur menjëherë përgatitjet me skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja. Burime të besueshme pranë klubit të kuq bëjnë me dije për newsport.al që fantazistit i janë plotësuar kushtet.
Sa i përket aspektit financiar, shifrat nuk kanë qenë në nivel e kërkesave të Bardhit, por është gjetur një rrugë e mesme për të dy palët. Ndërkohë mësohet se kontrata është nënshkruar vetëm për Kupat e Europës dhe nëse do të ketë një ofertë për 23-vjeçarin nga jashtë vendit, automatikisht ai do të bëhet lojtar i lirë.
Pra, ashtu si me futbollistët e tjerë, edhe me Bardhin, nëse do të ketë ofertë nga një klub jashtë Shqipërisë, klubi i kuq nuk do të mund të përfitojë asnjë të ardhur. S'dihet pse është arritur një akord i tillë në një kohë kur kryeqytetasit kanë kontribuar prej vitesh për rritjen e promovimin e lojtarit.