Bledar Devolli nuk do të jetë më trajner i Tiranës U-19. Humbja e djeshme 2-0 në transfertë kundër Vllaznisë U-19 ka sjellë pasojat e veta. Është vetë tekniku i njohur që përmes një prononcimi për newsport.al tregon se ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i bardhebluve për të pushuar deri në përfundim të këtij sezoni futbollistik.
Ai thekson se dëshiron të drejtojë një ekip të elitës duke hequr dorë në këtë mënyrë nga trajnimi i ekipeve të moshave. 42-vjeçari mohon faktin se dorëheqja e tij ka ardhur si pasojë e humbjes. Përkundrazi, deklaron se i duhet pak pushim dhe në qershor është gati të drejtojë në elitë. A do të drejtonte sërish një skuadër të Kategorisë së Parë? Edhe për këtë gjirokastriti ka një përgjigje, ashtu siç vetëm ai di t’i japë “drejtim”.
“Kam dhënë dorëheqjen nga Tirana U-19. Nuk ka lidhje as humbja në Shkodër as situata me klubin. I dhashë fund kësaj aventure duke fituar edhe Kupën. Kam synimet e mia në karrierë dhe po shpresoj që në qershor të rikthehem në stol. Është mirë që të nis diçka vetë, nga fillimi dhe qershori është muaji i duhur”, tha fillimisht ai.
I pyetur nëse ka ose jo oferta, u përgjigj shkurtimisht: “Sigurisht kam kontakte, shpresoj me një klub të Superligës sepse me Kategorinë e Parë e kam mbyllur që vjet me Kastriotin. Nuk ia vlen në atë Kategori, më mirë rri në shtëpi dhe je rehat”, përfundoi për Newsport.al tekniku 42-vjeçar.