
Alban Hoxha, ikona e Partizanit dhe kapiteni I kampionëve në fuqi të vendit është drejt largimit nga klubi. Në një bisedë ekskluzive për newsport.al, gardiani I Kombëtares e ka lënë të hapur largimin edhe te rivalët e Tiranës, duke turbulluar kështu disi ambientin e kuq.
Gardiani është padyshim një nga figurat më të respektuara te të kuqtë, ndërsa lajmi për mos rinovimin dhe largimin e tij pritet të ndryshojë shumë ujëra te të kuqtë. Tirana, Kukësi dhe Prishtina mësohet se janë vënë pas lojtarit, ndërsa Hoxha I lë derën hapur edhe rivalëve të përjetshëm të Tiranës.
Një lajm qarkullon në lidhje me largimin tuaj nga Partizani. Sa e vërtetë është?
Për momentin nuk mund të flas. Unë jam lojtar I Partizanit dhe do respektoj kontratën që kam me klubin deri në fund të muajit, kontatë që më mban lidhur deri në fund të sezonit në këtë situatë. Kam oferta nga brenda vendit dhe do shoh më të mirën për veten. Nuk kam asnjë konflikt në klub, por që jam profesionist dhe nuk dua të flas para kohe.
Do kalonte Alban Hoxha te rivalët e Tiranës?
Nuk ka asnjë gjë të keqe, është diçka që e kanë bërë edhe të tjerë. Ne jemi profesionistë dhe me këtë punë mbahemi, nuk do I thoja jo. Siç e thashë kam oferta nga brenda vendit, por që nuk janë të vetmet.
Një kampionat I huaj?
Për momentin jo.
/Stavro Anesti DHIMITRI/