
Lojërat Olimpike Rio 2016 po zbulojnë për sportdashësit histori nga më fantastiket dhe të veçantat. E fundit e zbuluar nga mediat italiane, është ajo e volejbollistes Diana Reyes së kombëtares së Porto Rikos, e cila po merr pjesë në garat e Rios duke qënë 4-muajshë shtatzanë.
Volejbollistja e mësoi gjendjen e saj vetëm 2 ditë para nisjes për në Brazil gjatë një kontrolli mjekësor në spital për shkak të një incidenti rrugor, por nga frika se mund të lihej jashtë skuadrës, vendosi ta mbante të fshehtë derisa të grumbulloheshin në Rio. Vetëm pasi arritën në Brazil, ajo njoftoi trajnerin e kombëtares Juan Carlos Nunez.
"Volejbollistja nuk është aktivizuar në asnjë ndeshje deri tani vetëm për zgjedhje teknike, jo për shkak të shtatzanisë, pasi mjekët i kanë dhënë leje të luajë duke qënë se nuk ka asnjë rrezik. Skuadra ime është si një familje e madhe dhe kësaj familjeje i është bashkuar dhe një anëtar tjetër", ka thënë trajneri Nunez.