
Myrto Uzuni është një nga lojtarët më të mirë te Lokomotiva e Zagrebit. Në një intervistë për Fox Sport'', futbollisti shqiptar flet për shumë tema, ku nuk mund të linte pa përmendur të ardhmen. Natyrisht, synimi është maja e futbollit botëror, me potencialin që ia ''premton'' këtë gjë.Diçka u tha edhe për Kombëtaren shqiptare, ku të lësh ''gjurmë'' aty do të ishte një arritje më vete. Uzuni ka zhvilluar 27 paraqitje këtë sezon, ku ka shënuar 9 gola.
''Të luash me shqiptarë është shumë mirë, pasi jemi shumë shqitparë dhe ndihemi komod në fushën e lojës. Kuptohemi mirë me njëri-tjetrin dhe kombinohemi. Por realisht në klubin e Lokomotivës së Zagrebit nuk ka dallime shqiptar apo kroat, prandaj kemi ecur mirë në klasifikim deri tani. Na thonë "banda e shqiptarëve", por realisht jemi shumë komod. Me të gjithë i kam marrëdhëniet shumë të mira.
E ardhmja? Uroj të mos qendroj te Lokomotiva e Zagrebit, pasi qëllimet e mia janë të luaj në një kampionat më të fortë ku të provoj veten time. Besoj me punë dhe me pak fat, uroj të jetë viti im. Kam bërë një sezon shumë të mirë, pasi kam shënuar dhe asistuar. Janë 3 klube nga kampionati spanjoll. Është e vërtetë që më kërkon Majorka dhe Getafe, të tretën më mirë të mos e zbulojmë. Realisht janë interesime në klub por duhet të ketë ofertë zyrtare. Atalanata dhe Fiorentina në Itali? Nuk kam dijeni për këto dy klube, por janë 2 skuadra të tjera.
Di që janë 2 klube italiane që kanë shfaqur interesimin e tyre te Lokomotiva, por nuk i di emrat nëse është Fiorentina dhe Atalanta. Për mua janë dy kampionatet më të forta në botë. Për mua nuk ka problem Serie A apo La Liga, kjo është një ëndërr fëmijërie që uroj të bëhet realitet së shpejti. Kombëtarja? Nuk kam qenë në formacionin e Kombëtares. Kam qenë prezent, por nuk kam dhënë kontributin tim. Për mua është ndjenja më e bukur të përfaqësoj ekipin kombëtar. Uroj të jem në formacionin startues, pasi qëllimet e mia nuk janë që të jem thjesht në listë, por të kontribuoj në ekipin kombëtar. Normalisht puna ime është të jap maksimumin në fushën e lojës dhe të shënoj gola. Ne matemi me gola dhe asist.
Ftesa e marrë nga Panucci? Jam ndjerë shumë i lumtur. Panuccin e falenderoj shumë pas edhe 50-60 viteve unë mund të them që ishte trajneri i parë që më solli ftesën. Jam ndjerë shumë mirë dhe shumë krenar të përfaqësoj kombin tim. Për sa i përket rezultateve, nuk luan trajneri në fushën e lojës. Mendoj duhet të shohim nga vetja, por trajneri është i pari që e pëson. Tani grupi ka ecur shumë mirë. Nuk ishte vetëm faji i Panuccit, por edhe i ne lojtarëve, duke nisur nga unë i pari. Në kombëtaren shqiptare ka shumë shembuj për t'u marrë, duke u nisur që nga Lorik Cana, Erjon Bogdani, Ervin Skela, por më duhet shumë punë për të arritur rezultatet që kanë dhënë ish-lojtarët e Kombëtares.
Në futbollin shqiptar është shumë e vështirë të çash pa mbështetje. Unë falenderoj prindërit e mi që më kanë mbështetur dhe falë punës sime të palodhur, pasi nuk jam dorëzuar kurrë. Ku kam arritur deri tani është vetëm fillimi, pasi synoj të shkoj më lart sepse ëndrrat e mia janë më të mëdhaja.Pengu im është që nuk arritëm të fitonim Kupën me Laçin në finale" - shton Uzuni.