Durrësi u prek nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, që la pas 51 viktima dhe mbi 900 të plagosur. Në qytetin bregdetar nuk flitet më për futboll, për aq kohë sa situata të qetësohet dhe gjithçka të vijojë rrjedhën normale. Të shumta kanë qenë klubet e njohura që janë solidarizuar me gjendjen në Shqipëri, aqsa Larisa ka programuar një miqësore me Teutën në ndihmë të të prekurve.
Djemtë e Bledi Shkëmbit pritet të rikthehen në fushë pas një jave pushim, me të hënën që shihet si dita për të rinisur përgatitjet anti Skënderbe. Të shumtë kanë qenë lojtarët që kanë marrë “arratinë” si pasojë e situatës, duke e bërë më të vështirë një grumbullim. Pritet të shihet nëse e nesërmja do të zbresë në fushë Teutën, me shpresën që lojtarët dhe stafi ta kenë hedhur pas momentin e ankthit.